Vrasje për një foto me kalin” – Gjykata e Beratit lë në burg 63-vjeçarin që vrau turistin nga Tirana
Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka caktuar sot, më 30 tetor, masën e sigurisë “arrest me burg” për 63-vjeçarin Kristo Mema, i njohur edhe me emrin Kastriot Oxhaj, i akuzuar për “vrasje me dashje”.
Mema vrau me thikë 43-vjeçarin Keli Hoxha, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tropoja, pas një konflikti absurd për një foto me kalin, në qendër të Kalës së Beratit, mbrëmjen e 28 tetorit. Ngjarja ka ndodhur në prezencë të familjarëve dhe fëmijëve të viktimës.
Si ndodhi ngjarja
Sipas hetimeve, debati nisi pasi Hoxha kishte prekur kalin që autori përdorte për të shëtitur turistët kundrejt pagesës. Mema i kërkoi të mos e prekte, duke i thënë se kafsha ishte e acaruar dhe “nuk ndihej mirë”.
Pas disa fjalëve të ashpra, 63-vjeçari nxori thikën që mbante të fshehur në samarin e kalit dhe e goditi për vdekje 43-vjeçarin.
Pas krimit, Mema u largua nga vendngjarja, e lidh kalin në kasollen e shtëpisë, mori disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e Kalasë, për t’i shpëtuar policisë. Ai u arrestua disa orë më vonë, në të ashtuquajturën “Shpella e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
E kaluara e errët e autorit
Hetimet kanë zbuluar se Kristo Mema është i njohur për një sërë ngjarjesh të dhunshme. Ai ka qenë i përfshirë në një vrasje në vitin 1993 në Berat, por nuk ka bërë asnjë ditë burg, pasi çështja u parashkrua.
Pas kësaj, ai u largua në Greqi për rreth 25 vjet, ku ndryshoi emrin dhe vazhdoi jetën me identitetin Kastriot Oxhaj.
Burime nga policia bëjnë me dije se Mema dyshohet për tre vrasje dhe një plagosje me thikë, si dhe është denoncuar dhjetëra herë për dhunë, por nuk është dënuar asnjëherë për mungesë provash.
Në seancën e sotme gjyqësore, 63-vjeçari shprehu pendesë dhe kërkoi falje familjarëve të viktimës për krimin e kryer.
