Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë mbrëmjen e së mërkurës, ku shembja e një pallati shtatëkatësh në qytetin Gebze, provinca Kocaeli, i mori jetën katër anëtarëve të së njëjtës familje. Nga rrënojat ka arritur të shpëtojë vetëm vajza e madhe, Dilara Bilir, 18 vjeçe.
Sipas autoriteteve turke, prindërit e saj, Levent Bilir (44) dhe Emine Bilir (37), si dhe dy fëmijët e mitur, Emir (12) dhe Hairunisa (14), u nxorën pa shenja jete pas një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati 19 orë. Trupat e prindërve u gjetën në orët e para të mëngjesit së enjtes, ndërsa më herët ishin gjetur trupat e dy fëmijëve.
E vetmja e mbijetuar, Dilara, u shpëtua disa orë pas rrëzimit dhe u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit morën pjesë 913 efektivë të emergjencës, të pajisur me 161 automjete, 6 qen kërkimi dhe 10 mjete të specializuara. Për shkak të rrezikut të shembjeve të tjera, autoritetet kanë evakuuar 12 ndërtesa përreth, ku jetonin 45 familje.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur momentin dramatik të shembjes, ku ndërtesa rrëzohet për pak sekonda, duke u shndërruar në rrënoja dhe duke krijuar një re të dendur pluhuri që mbulon të gjithë zonën. Automjetet e parkuara u shtypën nga betoni, ndërsa kalimtarët u larguan me panik.
Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e shembjes, ndërkohë që ngjarja ka hapur sërish debatin për sigurinë e ndërtesave dhe standardet e ndërtimit në Turqi.
Tragjedia ka shkaktuar reagim të gjerë publik, me mesazhe ngushëllimi dhe thirrje për masa më të forta kontrolli urbanistik, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla tragjike në të ardhmen.















