Tragjedi në SHBA: Humbin jetën dy të rinj shqiptarë, familjet kërkojnë ndihmë për t’i sjellë në Atdhe

img 8880

Komuniteti shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri është tronditur nga lajmi i humbjes së dy të rinjve, Samira Xhaferi dhe Albi Çela, të cilët ndërruan jetë tragjikisht në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor.

Familjarët e tyre kanë hapur një fushatë në GoFundMe me qëllim mbledhjen e fondeve të nevojshme për transportimin e trupave në Shqipëri dhe për përballimin e shpenzimeve të varrimit.

Sipas organizatorëve të nismës, Samira Xhaferi, 27 vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, ku njihej për përkushtimin dhe pasionin për kërkimin shkencor. Albi Çela, 30 vjeç, ishte drejt përfundimit të studimeve në Cleveland State University Law dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës.

Të fejuar dhe të pandarë, Samira dhe Albi ndanin dashurinë për librat, dijen dhe botën e “Harry Potter”, pasione që i afronin edhe më shumë. Miqtë dhe të afërmit i kujtojnë si të qetë, të dashur dhe njerëz që shpërndanin ngrohtësi kudo shkonin.

“Humbja e tyre ka lënë një boshllëk të pamatë në familjet tona dhe në komunitetin që ata prekën me dritën dhe dhembshurinë e tyre,” thuhet në përshkrimin e fushatës.

Familjet u bëjnë apel shqiptarëve kudo në botë të kontribuojnë sipas mundësive ose të ndihmojnë duke shpërndarë thirrjen, në mënyrë që Samira dhe Albi të prehen në vendlindje.

img 8880

About The Author