Tragjedi në kantierin e ndërtimit në Elbasan, humb jetën punëtori 42-vjeçar — arrestohet drejtuesi teknik
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në një kantier ndërtimi në fshatin Paulesh të Elbasanit, ku një 42-vjeçar humbi jetën gjatë punës.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, viktima është identifikuar si G. D., 42 vjeç, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Pas hetimeve paraprake, policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin teknik të punimeve, shtetasin E. H., 64 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Në njoftimin e policisë thuhet se dyshohet se në kantier nuk janë respektuar standardet e sigurisë, çka ka sjellë pasojën tragjike për jetën e punëtorit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin arrestuan shtetasin E. H., 64 vjeç, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’,” thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Elbasanit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
