Tragjedi në Itali: Nëna ukrainase vret djalin 9-vjeçar me thikë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Muggias, në provincën e Triestes, ku një grua me origjinë nga Ukraina i ka marrë jetën djalit të saj 9-vjeçar.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në banesën ku nëna dhe fëmija jetonin së bashku. Dyshohet se gruaja ka përdorur një thikë kuzhine për t’i prerë fytin djalit të mitur.
Babai i fëmijës, i cili jetonte jashtë rajonit dhe ishte ndarë nga ish-bashkëshortja, ngriti alarmin pasi nuk arriti ta kontaktonte atë për një kohë të gjatë. Pas sinjalizimit të tij, forcat e ndërhyrjes së shpejtë mbërritën në apartament, ku gjetën fëmijën pa shenja jete.
Gruaja 55-vjeçare u gjet në gjendje shoku dhe me plagë në dorë, të shkaktuara nga një tentativë për vetëvrasje. Ajo është marrë në paraburgim dhe po merret në pyetje nga hetuesit për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, fëmija nuk mundi të shpëtohej. Ngjarja ka tronditur opinionin publik italian, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivet që çuan në këtë akt të rëndë.
