Trafiku në Elbasan, makth i përjavshëm për qytetarët: deri në dy orë për 7 kilometra
Trafiku në Elbasan është kthyer në një makth të përjavshëm për qytetarët, veçanërisht gjatë të dielave pasdite, kur mijëra automjete kthehen nga fundjava drejt Tiranës apo Durrësit.
Për të përshkuar vetëm 6 deri në 7 kilometra të unazës së qytetit, drejtuesve të mjeteve u duhen deri në dy orë, për shkak të trafikut të rënduar dhe mungesës së menaxhimit efikas nga autoritetet.
Situata bëhet edhe më kaotike nga sjelljet e papërgjegjshme të disa shoferëve, të cilët, për shkak të padurimit, parakalojnë gabim, bllokojnë korsitë dhe pengojnë qarkullimin në rrugët dytësore.
Banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë masa urgjente për përmirësimin e qarkullimit, përfshirë rregullimin e sinjalistikës, praninë e policisë rrugore dhe menaxhimin më të mirë të fluksit të mjeteve në ditët me ngarkesë të lartë.
Në mungesë të ndërhyrjeve konkrete, trafiku në Elbasan pritet të mbetet një problem i përsëritur çdo fundjavë, duke u kthyer në një provë durimi për qytetarët dhe vizitorët e qytetit.
