Tërmet i fuqishëm 6.3 ballë godet Afganistanin, të paktën 20 viktima dhe qindra të plagosur
Një tërmet me magnitudë 6.3 ballë të shkallës Rihter ka goditur në orët e para të mëngjesit të së hënës veriun e Afganistanit, pranë qytetit Mazar-i-Sharif, duke shkaktuar të paktën 20 viktima dhe mbi 320 të plagosur.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë e talebanëve, e cila njoftoi se ekipet e kërkim-shpëtimit janë në terren dhe po kërkojnë mes rrënojave, pasi dhjetëra persona dyshohet të jenë ende nën to.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti ndodhi në orën 00:59 të mëngjesit (me orën lokale), në një thellësi prej 28 kilometrash, pranë zonës së Mazar-i-Sharifit.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi shumë ndërtesa janë shembur plotësisht, ndërsa infrastruktura në disa fshatra përreth është dëmtuar rëndë.
Ndër objektet e prekura është edhe Xhamia Blu e Mazar-i-Sharifit, një nga monumentet më të shenjta dhe më të rëndësishme fetare në Afganistan, e cila është pjesërisht e shkatërruar.
Gjatë momentit të lëkundjeve, mijëra banorë dolën me panik në rrugë, duke lënë shtëpitë nga frika e shembjes.
Ky tërmet vjen pas një serie fatkeqësish natyrore që kanë goditur Afganistanin vitet e fundit. Vetëm dy muaj më parë, një tjetër tërmet në lindje të vendit vrau mbi 2 mijë persona, ndërsa në vitin 2023 në Herat dhe në 2022 në Nangarhar, qindra të tjerë humbën jetën nga lëkundje të fuqishme të tokës.
