Pezullohet volejbollistja braziliane e Dinamos, FSHV i kërkon testin e gjinisë — reagimi i fortë i klubit

img 7535

Një situatë e paprecedentë ka tronditur volejbollin shqiptar. Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet sportive, pasi Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) i ka kërkuar t’i nënshtrohet një testi për përcaktimin e gjinisë.

Vendimi ka ardhur papritur dhe, sipas klubit kryeqytetas, ka shkaktuar habi dhe shqetësim të madh për mënyrën si është trajtuar çështja.

Në një reagim zyrtar të publikuar në rrjetet sociale, klubi Dinamo konfirmon vendimin e Federatës, por e konsideron atë një ndërhyrje që prek dinjitetin e sportistes.

“Jemi njohur me publikimet e fundit në media, që i referohen vendimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit për pezullimin e një prej lojtareve të ekipit tonë dhe kërkesën për zhvillimin e një testi për përcaktimin e gjinisë.

Për transparencë ndaj opinionit publik, konfirmojmë se informacionet janë të vërteta,” – thuhet në reagimin e Dinamos.

Klubi thekson se Nayara Ferreira është një sportiste me licencë zyrtare të FIVB dhe me karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare në disa vende të botës, përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas Dinamos, FSHV nuk ka dhënë asnjë sqarim konkret mbi arsyet apo bazën ligjore të kërkesës për testin e gjinisë, duke e quajtur këtë një ndërhyrje të pazakontë dhe potencialisht cënuese për integritetin personal të sportistes.

“Në mungesë të çdo elementi konkret apo procedure të përcaktuar në aktet rregullative, kërkesa për t’iu nënshtruar një testi të tillë – që prek drejtpërdrejt dinjitetin dhe integritetin personal të lojtareve – lë hapësirë për shumë paqartësi mbi mënyrën se si është trajtuar kjo çështje,” vijon deklarata.

Pavarësisht kritikave, Dinamo thekson se do të bashkëpunojë me Federatën për të ndriçuar çështjen, duke ruajtur “maturinë dhe korrektësinë institucionale”.

“Sporti duhet të bashkojë, jo të poshtërojë. Ne do të vazhdojmë të besojmë te vlerat që e bëjnë volejbollin dhe çdo sport një fushë të ndershme loje,” përfundon reagimi i klubit.

Ngjarja ka ngjallur diskutime të gjera në opinionin sportiv, ndërsa pritet që FSHV të japë një qëndrim zyrtar mbi arsyet dhe procedurat e ndjekura në këtë rast.

img 7535

About The Author