Pas udhëtimit epik me biçikletë deri në Indonezi, shqiptari zbulon fundin e papritur të historisë së dashurisë
Pas një rrugëtimi që zgjati 1 vit e 3 muaj, i cili frymëzoi mijëra ndjekës në rrjete sociale, Cekki Hoti, i riu nga Kosova që u nis me biçikletë për t’i propozuar vajzës së ëndrrave në Indonezi, ka bërë një rrëfim të papritur.
Në një video të publikuar së fundmi në TikTok, Cekki ka treguar se historia e tij romantike nuk pati fundin që shumëkush kishte pritur.
“Pas shumë ditësh bisedash me familjen e saj, nuk u dakorduam në kushte. Ata nuk pranuan të miat, unë nuk pranova të tyret, prandaj secili vazhdoi jetën e vet. Jam i lumtur që ndodhi ashtu siç ndodhi. Kjo është jeta,” – ka shkruar ai në postimin e tij.
Vetëm pak ditë më parë, në një intervistë për Prive, Cekki kishte treguar për planet e tij për të ndërtuar një jetë me vajzën që e kishte njohur online dhe për të cilën kishte përshkuar mijëra kilometra me biçikletë, nga Kosova deri në qytetin Bau Bau të Indonezisë.
Historia e tij kishte bërë jehonë në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, duke u kthyer në një shembull frymëzues për këmbëngulje dhe dashuri pa kufij.
Megjithëse rrugëtimi i dashurisë përfundoi ndryshe nga pritjet, Cekki thotë se ndihet mirënjohës për përvojën dhe për mbështetjen që ka marrë nga mijëra njerëz në mbarë botën.
