Nga qelia, Erion Veliaj urdhëron nisjen e dekorimeve të Tiranës për festat e fundvitit
Edhe pse ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë urdhër për nisjen e punimeve për dekorimin e kryeqytetit me afrimin e festave të fundvitit.
Në një njoftim zyrtar të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, thuhet se pavarësisht kushteve ku ndodhet, Veliaj ka kërkuar që qyteti të përgatitet për festat, duke ruajtur traditën e ndriçimit të bulevardit dhe shesheve kryesore të Tiranës.
“Tirana do të ndriçojë sërish për festat e fundvitit. Edhe pse ndodhet në kushte të vështira, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar që qyteti të fillojë menjëherë përgatitjet për festat e fundvitit. Sipas urdhrit të tij, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë dhe kriteret teknike e estetike të përcaktuara për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Ndërmarrjet bashkiake kanë nisur tashmë punën për vendosjen e dritave dhe zbukurimeve, me qëllim që Tirana të jetë gati për të pritur atmosferën festive të dhjetorit.
Kjo është hera e parë që kryebashkiaku Veliaj jep një urdhër administrativ nga qelia, duke ruajtur në këtë mënyrë rolin drejtues mbi institucionin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas burimeve nga Bashkia, zbukurimet e këtij viti do të vendosen kryesisht në Sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Parkun Rinia, ndërsa ndriçimi festiv pritet të ndizet në ditët e para të dhjetorit.
