Mimoza Marjanaku rrëfen jetën në konvikt me Parashqevi Simakun: E thjeshtë, harronte që ishte artiste
Aktorja Mimoza Marjanaku ishte e ftuara e radhës në emisionin “S’e Luan Topi” në Top Channel, ku foli hapur për sfidat e jetës, emigrimin dhe mallin për familjen. Gjatë bisedës, ajo ndau edhe kujtime nga vitet e studimit, duke zbuluar një detaj interesant nga e shkuara e saj.
Marjanaku tregoi se ka jetuar në të njëjtën dhomë konvikti me artisten e njohur Parashqevi Simakun, duke e përshkruar këngëtaren si një njeri jashtëzakonisht të thjeshtë, që shpesh harronte se ishte një figurë e njohur publike.
“E kam pasur në kurs Parashqevinë. Ajo erdhi disa vite më vonë. Në vit të parë kam qenë në një dhomë me Parashqevinë dhe, pavarësisht se ishte artiste e njohur, ishte konviktore si ne. Kur erdhi në shkollë kishte të njëjtin status si të gjithë. Kemi kaluar shumë mirë. Ajo e harronte faktin që ishte artiste kur ishte me ne, sepse kishte hyrë për të bërë diçka të re. Ishte e thjeshtë”, rrëfeu Marjanaku.
Aktorja u ndal edhe te jeta aktuale e Parashqevi Simakut, duke lënë të kuptohet se figura e saj, sipas saj, është shfrytëzuar ndër vite. Rrëfimi i Marjanakut solli në vëmendje anën njerëzore të artistes së njohur, larg skenës dhe famës, duke nxitur reflektim mbi mënyrën se si trajtohen figurat publike.
