Maratona e Tiranës 2025 sjell kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor

img 7158

Maratona e Tiranës do të zhvillohet këtë vit më 19 tetor 2025, në edicionin e saj të nëntë, që përkon gjithashtu me vitin kur kryeqyteti mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Me rastin e këtij aktiviteti që do të shtrihet në rrugët kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për devijimin dhe kufizimin e qarkullimit të automjeteve. Kufizimet do të nisin nga ora 08:00 dhe do të zgjasin deri në orën 16:00 të datës 19 tetor.

Një ditë më herët, më 18 tetor 2025, do të zhvillohet aktiviteti sportiv “Maratona Fan Run”, që do të nisë nga sheshi “Nënë Tereza” dhe do të vijojë deri në fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në krah me instalacionin “Reja”. Aktiviteti do të zhvillohet në orarin 09:00–11:00 dhe do të sjellë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.

Sipas planit të Bashkisë së Tiranës, qarkullimi i automjeteve do të devijohet në rrugët “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Abdyl Frashëri” dhe “Papa Gjon Pali II”. Në kryqëzimin e rrugës “Abdyl Frashëri” me rrugën “Ibrahim Rugova” do të vendosen drejtime të detyruara, për shkak të pezullimit të qarkullimit në segmentin që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në kryqëzimin e bulevardit “Bajram Curri” me rrugën “Ibrahim Rugova” qarkullimi do të lejohet vetëm në drejtim djathtas, ndërsa e njëjta masë do të zbatohet edhe në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, në mënyrë që zhvillimi i Maratonës së Tiranës të vijojë pa probleme dhe në siguri të plotë.

img 7158

About The Author