Serbia rrezikon përjashtimin nga Kupa e Botës dhe pezullim 2-vjeçar – FIFA gati të ndërhyjë!
Serbia rrezikon përjashtimin nga Kupa e Botës dhe pezullim 2-vjeçar – FIFA gati të ndërhyjë!
Atmosferë tensioni në kampin serb përpara sfidës së shumëpritur ndaj Shqipërisë më 11 tetor në Leskovac, teksa Federata Serbe e Futbollit (FSS) ka marrë një vendim ekstrem: nuk do të nxjerrë asnjë biletë në shitje të lirë për publikun.
Ky vendim vjen si përpjekje për të shmangur incidente, pasi FIFA ka paralajmëruar Serbinë për përjashtim nga kualifikueset e Kupës së Botës 2026 dhe një pezullim të mundshëm dyvjeçar, në rast të ndonjë skandali gjatë përballjes me Shqipërinë.
Frikë nga incidentet – vetëm tifozë të përzgjedhur në stadium

Sipas medias serbe Nova.rs, në sfidën e 11 tetorit do lejohen vetëm 6000 të pranishëm, përfshirë të rinj nga akademitë, përfaqësues të klubeve, shoqata rajonale dhe të ftuar të përzgjedhur. Tribunat nuk do të jenë bosh, por prania e tifozëve do jetë e kontrolluar dhe e kufizuar në mënyrë të rreptë.
Kujtojmë se kjo sfidë u zhvendos nga Beogradi në Leskovac, pikërisht për të ulur rrezikun nga huliganët dhe tensionet politike që mund të përshkallëzoheshin në kryeqytet.
FIFA dërgon oficerë sigurie – sinjal serioziteti
FIFA ka konfirmuar se dy oficerë sigurie të specializuar do jenë të pranishëm në stadiumin e Leskovacit, për të monitoruar situatën nga afër dhe për të garantuar sigurinë e plotë të kësaj ndeshjeje, e cila konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Ky vendim vjen pas ndëshkimit të Serbisë me uljen e kapacitetit të stadiumit për 20% në sfidën ndaj Shqipërisë, për shkak të incidenteve në ndeshjen kundër Anglisë në Beograd.
Serbia dhe Shqipëria ndodhen në Grupin K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026, dhe kjo përballje mund të jetë vendimtare për fatin e të dyja skuadrave. Dueli i parë, i zhvilluar në Tiranë më 7 qershor 2025, përfundoi me rezultatin 0-0.