Vdes Manchester United, tifozi i zjarrtë që ndërroi emrin dhe bëri stemën e klubit në ballë
Një nga tifozët më të zjarrtë dhe më të veçantë të Manchester United ka ndërruar jetë në Bullgari në moshën 62-vjeçare. Bëhet fjalë për ndërtuesin bullgar Marin Zdravkov Lavindzov, i cili pas një beteje 15-vjeçare ligjore arriti të ndryshojë zyrtarisht emrin e tij në Manchester Zdravkov Lavindzov United.
Lavindzov u bë i njohur në mbarë botën për devotshmërinë e tij të jashtëzakonshme ndaj klubit anglez, duke bërë edhe tatuazh stemën e Manchester United në ballë.
Ai mori vendimin për të ndryshuar emrin në vitin 1999, nën ndikimin e alkoolit, një ditë pas fitores historike të United ndaj Bayern Munich në finalen e Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”, me golat e Teddy Sheringham dhe Ole Gunnar Solskjaer në minutat shtesë – ndeshje që vulosi tripletën e famshme nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.
Historia e tij u bë aq e njohur në Bullgari sa që në vitin 2011 u xhirua filmi “My Friend Manchester United” (“Shoku im Manchester United”), që përshkruante përpjekjen e tij shumëvjeçare për ta bërë realitet ëndrrën e emrit të ri.
Në vitin 2014, një gazetë britanike i bëri të mundur t’i vizitonte “Old Trafford”, ku Lavindzov shpërtheu në lot sapo hyri në dhomën e zhveshjes dhe më pas doli në fushë.
“Të shohësh se ku ecën dhe luajtën heronjtë e mi është gjëja më e madhe që kam përjetuar ndonjëherë. Do ta kujtoj këtë ditë përgjithmonë”, kishte thënë ai emocionuar.
Në shtëpinë e tij, çdo cep ishte mbushur me kujtime të “Djajve të Kuq”: postera, fanella dhe suvenire, përfshirë edhe një banderolë të bashkëkombësit të tij Dimitar Berbatov, i cili luajti për United nga viti 2008 deri në 2012. Madje, edhe macen e kishte quajtur “David Beckham”.
Sipas mediave lokale, Manchester United (Lavindzov) u rrëzua papritur teksa po përgatitej të vizitonte një mik dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, nuk arriti të mbijetojë. Ai ndërroi jetë pasi zemra e tij – ajo që rrihte për “Djajtë e Kuq” – pushoi së rrahuri.
