Tre persona humbin jetën në Gjermani – makina përfundon në kanal teksa iknin nga policia
Një aksident tragjik ka ndodhur në Gjermani, ku tre persona kanë humbur jetën pasi makina me të cilën po udhëtonin përfundoi në Kanalin Mittelland, ndërsa po iknin nga policia.
Sipas mediave gjermane, shoferi i një BMW-je me targa të Mynihut injoroi sinjalin e ndalimit të policisë në autostradën A2 dhe vazhdoi me shpejtësi të madhe. Vetura më pas doli nga rruga dhe përfundoi në kanal, duke marrë jetën e tre personave në bord.
Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se dy nga viktimat ishin shtetas kroatë, të moshës 25 dhe 31 vjeç, ndërsa i treti, që dyshohet se ishte shoferi i mjetit, ishte nga Serbia.
Makina është nxjerrë nga kanali gjatë fundjavës dhe është sekuestruar për ekzaminime mjeko-ligjore. Ende nuk dihet me saktësi shkaku i aksidentit, si dhe arsyeja pse shoferi vendosi të largohej nga policia.
Hetimet mbi ngjarjen po vazhdojnë nga autoritetet gjermane.
