Tragjedi pas ndeshjes së basketbollit në Itali: Shoferi i autobusit të tifozëve humb jetën pas sulmit me gurë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Itali, pas ndeshjes së kampionatit të Serie A2 midis Pistoia dhe Sebastiani Basket Rieti, e cila përfundoi me fitoren e skuadrës mysafire.
Sipas mediave italiane, autobusi që transportonte tifozët e Pistoias u sulmua me gurë nga persona të dyshuar si tifozë të Sebastiani Rietit, teksa po largohej nga qyteti pas ndeshjes së zhvilluar në PalaSojourner.
Si pasojë e sulmit, një shofer i dytë që ndodhej në anën e pasagjerëve humbi jetën, pasi një gur goditi xhamin e përparmë të autobusit në lartësinë e sediljes së tij. Xhami u çarë plotësisht në anën ku ndodhej ai, duke e lënë të plagosur rëndë, dhe më pas ai nuk arriti t’i mbijetonte dëmtimeve.
Raportet tregojnë se autobusi ishte i shoqëruar nga policia deri në dalje të qytetit, në kryqëzimin e autostradës Rieti–Terni, por më pas disa tifozë dyshohet se e kanë ndjekur dhe sulmuar me gurë e sende të forta.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e rendit, karabinierët dhe shërbimet e emergjencës, të cilat po hetojnë rrethanat e incidentit.
Klubi Sebastiani Basket Rieti publikoi menjëherë një deklaratë zyrtare, duke u distancuar plotësisht nga ngjarja dhe duke shprehur ngushëllime të thella për viktimën dhe familjen e tij.
“Ajo që ndodhi sonte na lë të tronditur. Autobusi që transportonte tifozët mysafirë u godit me gurë, dhe njëri prej shoferëve humbi jetën. Sebastiani distancohet plotësisht nga ajo që ndodhi dhe shpreh ngushëllimet dhe keqardhjen më të thellë familjes së shoferit të ndjerë. Kjo ngjarje është jashtë çdo vlere sportive dhe do të hetohet plotësisht nga autoritetet,” – thuhet në deklaratën e klubit.
Autoritetet italiane kanë nisur një hetim të plotë për të identifikuar autorët e sulmit dhe për të sqaruar në detaje mënyrën si ndodhi tragjedia që tronditi botën e sportit italian.
