Tragjedi në Kanada: 29-vjeçarja shqiptare qëllohet për vdekje nga bashkëshorti i saj në Brampton
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada. Një 29-vjeçare me origjinë shqiptare, e identifikuar si Savannah Kulla, është qëlluar për vdekje nga bashkëshorti i saj Anthony Deschepper, 38 vjeç, në qytetin Brampton, provinca e Ontario-s.
Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur në një parking, ku Deschepper e ka qëlluar të renë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima ishte nënë e katër fëmijëve, ndërsa pas krimit, autori ka marrë njërin prej fëmijëve dhe është përpjekur të largohet me automjetin e tij.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke e ndjekur autorin, i cili është qëlluar për vdekje nga oficerët gjatë tentativës për t’u arrestuar. Ngjarja është cilësuar si një nga më të rëndat e viteve të fundit në zonë dhe ka tronditur thellë komunitetin e Bramptonit.
Autoritetet kanadeze kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e kësaj tragjedie familjare, ndërsa po merren masa për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të mitur që kanë mbetur jetimë.
