“Toma ia mbathi se do e kapi Spak” Doshi i përgjigjet Berishës: “Jam në mes të Tiranës, duke pirë kafe”

img 7474

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e nisi të premten me një postim në rrjetet sociale, ku pretendonte se kreu i Partisë Social Demokrate (PSD), Tom Doshi, ishte larguar nga Shqipëria pas një urdhër-arresti të supozuar nga SPAK.

Në postimin e bërë në Facebook, Berisha shkruante:

“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi i Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për t’u burgosur. Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit!”

Pretendimet e Berishës erdhën vetëm tre ditë pasi Tom Doshi ishte paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kishte dhënë deklarime për rreth 90 minuta, shtatë muaj pas paraqitjes së tij të parë në këtë institucion.

Pak orë pas postimit të Berishës, Tom Doshi reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke mohuar çdo pretendim për largimin e tij nga vendi. Ai publikoi një foto nga një lokal në Tiranë, shoqëruar me mbishkrimin:

“Nuk jam largu, jam këtu, në mes të Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash.”

Pas reagimit të Doshit, Sali Berisha e fshiu menjëherë postimin nga Facebook.

img 7474

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, ndërsa nga SPAK nuk ka pasur ende asnjë koment lidhur me pretendimet për ndonjë urdhër-arrest ndaj kreut të PSD.

About The Author