Titull: 21-vjeçari humb jetën në fabrikën “Sews Cabind Albania”, punëtorët: Ambulanca nuk u përgjigj në kohë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Bathore, ku i riu Juris Becaj, 21 vjeç, ka humbur jetën gjatë orarit të punës në fabrikën “Sews Cabind Albania”. Sipas punëtorëve, i riu pësoi arrest kardiak teksa po punonte në turnin e tretë.
Kolegët tregojnë se kanë tentuar disa herë të telefonojnë ambulancën, por thirrjet nuk janë hapur në momentet e para. Ambulanca mbërriti me vonesë dhe, pas administrimit të adrenalinës, i riu dyshohet se për pak çaste ka reaguar, por pak minuta më pas ka ndërruar jetë brenda ambienteve të fabrikës.
Punëtorët bëjnë me dije se, pas ndarjes nga jeta të Jurisit, ata janë mbledhur për t’i bërë nderimet dhe për të ndërprerë punën, por janë paralajmëruar me përjashtim nga puna nga drejtuesit e fabrikës nëse nuk do të ktheheshin në linjë.
Po ashtu, ata dyshojnë se po tentohet paraqitja e rastit si vdekje në spital për të shmangur detyrimet ligjore të fabrikës për një vdekje në vendin e punës, përfshirë kompensimet dhe sigurimin jetësor.
Kolegët theksojnë se Jurisi nuk kishte shfaqur probleme shëndetësore më parë dhe merrej rregullisht me aktivitet fizik. Sipas tyre, turni i tretë i gjatë dhe i lodhshëm ka qenë shpesh problem për shumë punëtorë, duke sjellë raste të fikti dhe rraskapitjeje.
Ngjarja ngre shqetësime serioze mbi funksionimin e shërbimit të urgjencës dhe kushtet e punës në fabrikë, si dhe trajtimin e punëtorëve në situata të tilla emergjente.
Autoritetet nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar, ndërsa pritet që rasti të hetohet për të qartësuar rrethanat dhe përgjegjësitë.
