Thatësira zbulon Kukësin e Vjetër – rënia e ujit në Fierzë afron “pikën e vdekjes” për hidrocentralin
Screenshot
Kukësi po përballet me një periudhë të gjatë thatësire, e cila ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në liqenin e Fierzës. Sipas matjeve të fundit, niveli ka zbritur në vetëm 252 metra, shumë pranë kuotës kritike prej 240 metrash, të njohur si “pika e vdekjes”, kur hidrocentralet ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike.
Rënia e ujit ka zbuluar sërish rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, i cili u zhyt nën ujë në vitet ’70, gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Muret, themelet dhe fragmentet e ndërtesave të dikurshme po shfaqen mbi sipërfaqe, duke kujtuar qytetin e zhdukur që dikur gjallonte buzë Drinit.
Herën e fundit që Kukësi i Vjetër u pa mbi ujë ishte në mars të vitit 2022, pas një periudhe të ngjashme thatësire. Sot, një pjesë e madhe e liqenit është kthyer në fushë balte dhe kullotë për bagëtitë, ndërsa prurjet e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi janë shumë të ulëta.
Mungesa e reshjeve ka detyruar ndalimin e turbinave të hidrocentralit të Fierzës, duke ndikuar ndjeshëm në prodhimin e energjisë elektrike në vend. Situata e thatësirës pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, nëse nuk regjistrohen reshje të konsiderueshme.
