Tentativë grabitjeje me armë në një bankë në Tiranë, kapet autori
Një tentativë grabitjeje me armë është shënuar këtë të enjte në Tiranë, pranë zonës së ish-Parkut.
Policia e Shtetit ka marrë një telefonatë që njoftonte për një grabitje me armë në një bankë të nivelit të dytë, pranë rrugës “Muhamed Llagami”. Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie janë nisur drejt vendngjarjes për të verifikuar informacionin dhe për të siguruar perimetrin.
Sipas raportimit të A2 CNN, autori i dyshuar ka tentuar të kryejë grabitjen i armatosur me një armë automatike tip kallashnikov, duke shkaktuar panik te punonjësit e bankës dhe qytetarët në zonë.
Policia ka arritur të neutralizojë dhe të arrestojë autorin, i cili është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe një ambulancë për të ofruar ndihmë në rast nevoje, por deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihen forca të shumta policie që kanë rrethuar zonën, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
