Sulm me thikë në tren në Londër: 10 të plagosur, dy persona të arrestuar
Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në një tren pranë Cambridge, në Londër. Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se dy burra janë arrestuar në stacionin e Huntingdon, pas një operacioni të gjerë policor ku morën pjesë forca të armatosura, ambulanca dhe helikopterë mjekësorë.
Sipas mediave britanike, sulmi ndodhi në orët e mëngjesit, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve. Ende nuk dihet dinamika e saktë e ngjarjes apo motivi i mundshëm i autorëve. Fillimisht ngjarja u përshkrua si një atentat, por më vonë autoritetet sqaruan se po hetohet edhe mundësia e një akti terrorist.
Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë ende publik. Nga dhjetë të plagosurit, nëntë raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa njëri është jashtë rrezikut për jetën.
Policia britanike ka ngritur një njësi hetimore të posaçme për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sulmit, ndërsa pritet një deklaratë zyrtare gjatë orëve në vijim.
