Vendimi vjen pas pezullimit të Lotarisë Amerikane dhe në kuadër të rishikimit të procedurave të kontrollit për emigrantët
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (DASH) ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të shqyrtimit dhe dhënies së vizave emigrante për qytetarët e Shqipërisë, duke nisur nga data 21 janar. Lajmi është raportuar fillimisht nga Fox News Digital, duke iu referuar një memorandumi të brendshëm të shpërndarë tek zyrtarët konsullorë amerikanë.
Sipas dokumentit, zyrtarët janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza emigrante në bazë të ligjit ekzistues, ndërkohë që Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të procedurave të kontrollit dhe verifikimit të aplikantëve.
Pezullimi do të jetë pa afat të përcaktuar dhe do të zgjasë deri në përfundimin e këtij rivlerësimi të procesit të vizave të emigracionit.
Rregulla më të ashpra për “public charge”
Ky zhvillim lidhet edhe me udhëzimet e reja të lëshuara nga Departamenti i Shtetit në nëntor 2025 për përfaqësitë diplomatike amerikane në mbarë botën, që kërkojnë zbatimin e rregullave më të rrepta në kuadër të dispozitës së njohur si “public charge” (barrë publike).
Sipas këtyre rregullave, zyrtarët konsullorë duhet të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se kanë gjasa të mbështeten në përfitime publike në SHBA. Në vlerësim merren parasysh një sërë faktorësh, përfshirë:
- gjendjen shëndetësore,
- moshën,
- njohuritë e gjuhës angleze,
- situatën financiare,
- si dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Sipas udhëzimit, edhe aplikantët më të moshuar, mbipeshë, ata që kanë përdorur më parë ndihma shtetërore ose që kanë qenë të institucionalizuar, mund të refuzohen.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij të hershëm për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan,” ka deklaruar zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott.

Shqipëria mes 75 vendeve të prekura
Sipas Fox News, Shqipëria është një nga 75 vendet për të cilat do të pezullohet shqyrtimi i vizave emigrante duke nisur nga 21 janari.
Në listë përfshihen edhe vende të tjera si: Afganistani, Algjeria, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Kuba, Egjipti, Irani, Iraku, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Nigeria, Pakistani, Rusia, Serbia, Sudani, Siria, Tunizia, Ukraina, Uruguaji, Jemeni dhe dhjetëra shtete të tjera nga Afrika, Azia, Evropa dhe Amerika Latine.
Autoritetet amerikane nuk kanë bërë ende të ditur se sa do të zgjasë pezullimi dhe nëse do të ketë përjashtime për kategori të veçanta aplikantësh.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë që kanë planifikuar të aplikojnë për vizë emigrante apo përmes Lotarisë Amerikane pritet të përballen me vonesa të konsiderueshme dhe pasiguri për vazhdimësinë e procesit.














