Rama propozon uljen e numrit të deputetëve: Kuvendi nga 140 në 100 anëtarë
Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë e zvogëlimit të numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke propozuar që Parlamenti të reduktohet nga 140 në 100 anëtarë. Deklarata u bë gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
“Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër. Kemi Kuvend me 140 vetë, fare mirë mund të kemi Kuvend me 100 vetë. Publiku do ta mirëpriste këtë dhe do të racionalizoheshin forcat,” u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, një ndryshim i tillë kërkon ndërhyrje në Kushtetutë dhe nisjen e një procesi më të gjerë reformues. Ai theksoi se do të duhet ngritja e një grupi pune për të hapur rrugën drejt reformës kushtetuese.
“Kur vjen fjala te Kushtetuta e Shqipërisë, duhet ngritur një grup që të hapë një proces. Kjo është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon më shumë angazhim, burime dhe kohë. Ambicia duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një reformë kushtetuese,” deklaroi Rama.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë akuzoi opozitën, veçanërisht Partinë Demokratike, se po pengon përpjekjet për integrimin evropian të vendit, duke promovuar jashtë Shqipërisë një imazh negativ.
“Do të ishte qershi mbi tortë nëse të tjerët do të ishin të interesuar të bënin të njëjtën punë për integrimin në BE, por nuk janë. Përkundrazi, angazhohen që me çdo mjet ta paraqesin Shqipërinë si narkoshtet,” tha ai.
Rama u shpreh se mazhoranca mbetet e hapur për dialog, por sipas tij opozita nuk ka treguar vullnet për bashkëpunim real politik.
“Ne asnjëherë nuk mbyllim derën. Nëse duan të japin alternativë, le të vijnë. Për të tjerat rrugët ndahen: ne përpara, ata mbrapa,” theksoi kryeministri.
Propozimi për uljen e numrit të deputetëve vjen në një periudhë tensionesh politike dhe kritikash ndaj qeverisë për funksionimin e institucioneve dhe transparencën në vendimmarrje, ndërsa mazhoranca e paraqet nismën si pjesë të përpjekjeve për reforma dhe modernizim të strukturave shtetërore.
