Rama ftohet nga Trump: Shqipëria, anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot ftesën zyrtare që ka marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën, një strukturë e re ndërkombëtare e iniciuar nga administrata amerikane.
Sipas letrës së publikuar nga kreu i qeverisë, Shqipëria ftohet të bashkohet si shtet anëtar themelues dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes, duke marrë rol aktiv në procesin e ndërtimit të paqes dhe rindërtimit të Gazës.
Në mesazhin e tij, presidenti Trump shprehet se kjo iniciativë do të bashkojë “një grup kombesh të dalluara, të gatshme të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të një paqeje të përhershme”, duke theksuar se ky nder u rezervohet vetëm vendeve që janë të përgatitura “të udhëheqin me shembullin e tyre”.
Nga ana e tij, Rama e ka cilësuar ftesën si një vlerësim të madh për Shqipërinë dhe një dëshmi të rolit në rritje të vendit në arenën ndërkombëtare, si edhe të marrëdhënieve të ngushta strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas mediave ndërkombëtare, SHBA ka dërguar ftesa edhe për disa vende të tjera dhe figura të rëndësishme politike për t’u bërë pjesë e kësaj strukture, e cila synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm dhe procesin e stabilizimit të Gazës pas konfliktit.
Në ditët në vijim pritet që të bëhen publike detajet mbi funksionimin e bordit dhe rolin konkret që do të ketë Shqipëria në këtë nismë ndërkombëtare.
