Rama: 800 aplikime për “Paketën e Maleve” në ditën e parë — kritika për kryebashkiakët që vonojnë hartat e tokave
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, më 23 tetor, një takim me kryebashkiakët e vendit, ku njoftoi se që në ditën e parë të nisjes së projektit “Paketa e Maleve” janë regjistruar 800 aplikime për investime.
Në fillim të komunikimit, Rama shprehu kritika për disa kryetarë bashkish, duke veçuar atë të Kuçovës, Kreshnik Hajdarin, për mosdërgimin e hartës së tokave të mundshme për investime.
“Kreshnik, pse nuk e ke sjellë në qeveri hartën e tokave, ku mund të investohet? Duhet ta kishe bërë, por nuk e ke. Kjo tregon se nuk e ke kuptuar mirë Paketën e Maleve”, – u shpreh Rama, duke kërkuar më shumë angazhim nga bashkitë për të ndihmuar qytetarët që duan të investojnë.
Kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e heqjes së burokracive dhe përshpejtimit të procedurave për investitorët.
“Duhet të zhduken burokracitë, që të mos ketë vonesa për ata që duan të investojnë. Vonesa nga ana juaj është vonesa juaj”, – paralajmëroi Rama, duke shtuar se do të bëhen amendamentet e nevojshme ligjore për të lehtësuar procesin.
Rama e përshkroi “Paketën e Maleve” si një “ilaç për një dhimbje të vjetër”, që lidhet me tokat e trashëguara, të cilat shumë qytetarë nuk i kanë ende të dokumentuara ligjërisht. Ai kujtoi ligjin e vitit 2020 për adresimin e këtij problemi, por pranoi se rezultatet nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Sipas tij, projekti është i thjeshtë në koncept:
“Ai që ka tokën, vjen në bashki dhe thotë se dua të ndërtoj një agroturizëm.”
Rama kërkoi që brenda muajit tetor çdo bashki të dorëzojë hartën e tokave ku mund të zhvillohen investime për agroturizëm, duke ngritur edhe Task Forca lokale për të nxitur aplikimet.
“500 të parët që do të marrin kontratën, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim. Duhet t’i ndihmoni që të jenë të parët,” – theksoi ai.
Kryeministri u shpreh se investimet do të sjellin zhvillim të ndjeshëm ekonomik në zonat malore:
“Është një investim i madh, që do të gjallërojë çdo zonë, edhe më të largëtën. Imagjinojeni sa para do të sjellë turizmi për komunitetet lokale.”
Në mbyllje, Rama theksoi se qeveria është e vendosur të mbështesë fuqishëm ringjalljen ekonomike të zonave malore:
“Jemi gati t’ju mbështesim. Këtu nuk ka të majtë e të djathtë — ka vetëm zhvillim. Në çdo cep të vendit mund të ngremë pika që prodhojnë ekonomi.”
