Qeveria rikthen skemën e kompensimit të TVSH-së për fermerët, 10% rimbursim për inputet bujqësore

img 8120

Qeveria po përgatit rikthimin e skemës së kompensimit të TVSH-së për sektorin bujqësor, por me një mënyrë të re zbatimi, ndryshe nga ajo që u hoq në vitin 2022.

Sipas projektligjit të ri “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”, fermerët do të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore — si fara, pesticide dhe fidanë.

Ndryshe nga skema e mëparshme, ku kompensimi bëhej përmes faturave të blerësve të produkteve bujqësore, mekanizmi i ri do të administrohet drejtpërdrejt nga administrata tatimore. Kjo mënyrë, sipas Ministrisë së Financave, është e ngjashme me modelet që përdoren në vende si Franca dhe Greqia.

Qëllimi i skemës është të zbusë efektin e TVSH-së 10% që u vendos mbi inputet bujqësore pas ndryshimeve fiskale të hyrë në fuqi më 1 janar 2022.

Projektligji thekson se kjo normë kompensimi synon të mbështesë fermerët që nuk janë subjekt i TVSH-së, pra nuk e ngarkojnë këtë tatim tek blerësit dhe nuk kanë të drejtë ta zbresin atë nga blerjet e tyre.

Për mirëadministrim të procesit, skema do të kufizohet vetëm për fermerët që shesin produktet te subjekte të regjistruara për TVSH, si grumbullues, përpunues bujqësorë apo agroturizme të certifikuara sipas ligjit për turizmin.

Në këtë mënyrë, qeveria synon të krijojë një mekanizëm më transparent dhe të drejtë kompensimi, që lehtëson barrën fiskale të fermerëve dhe nxit formalizimin e zinxhirit të furnizimit në bujqësi.

img 8120

About The Author