Policia e Shtetit publikon bilancin e janarit 2026: 498 të arrestuar dhe sekuestrime rekord droge dhe armësh

img 1679

Policia e Shtetit ka bërë të ditur bilancin e punës për muajin janar 2026, duke theksuar intensifikimin e operacioneve kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme.

Gjatë këtij muaji janë finalizuar 107 operacione policore, ku janë arrestuar 498 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në bashkëpunim me EUROPOL, INTERPOL dhe autoritetet partnere ndërkombëtare, janë zhvilluar 17 operacione për goditjen e rrjeteve kriminale dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat, Policia ka sekuestruar:

  • rreth 186 kg kanabis, 3 kg kokainë, heroinë, ekstazi, mijëra bimë dhe fara kanabisi, si dhe pajisje për kultivim në ambiente të mbyllura;
  • 41 armë zjarri, granata, municion luftarak;
  • pasuri me vlerë rreth 20 milionë lekë, përfshirë automjete, prona dhe llogari bankare të fituara nga aktivitetet kriminale.

Policia ka zbuluar ambiente për kultivim droge, lojëra fati të paligjshme, kontrabandë mallrash dhe trafik armësh e narkotikësh, ndërkohë që janë parandaluar ngjarje të rënda kriminale, përfshirë konflikte me armë zjarri dhe tentativa për trafik droge drejt Greqisë dhe Italisë.

Në fushën e krimit rrugor, Policia Rrugore ka arrestuar 197 drejtues mjetesh, ka pezulluar 216 leje drejtimi dhe ka vendosur mbi 93 mijë masa administrative për shkelje të ndryshme.

Policia e Shtetit nënvizon se aktiviteti i saj mbetet i fokusuar në parandalimin e krimit, goditjen e rrjeteve kriminale dhe sigurinë e qytetarëve.

img 1679

About The Author