Operacion i madh i SPAK dhe BKH në Tiranë, arrestohen 10 persona ndër ta motra e Taulant Ballës

img 0781

TIRANË – SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në bashkëpunim me oficerë të antimafias italiane, zhvilluan mbrëmjen e djeshme një operacion të gjerë në kullën luksoze “4Ever Green Tower”, në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse.

Kulla është në pronësi të Alba Ballës, motrës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Sipas burimeve zyrtare, operacioni është rezultat i një hetimi disamujor të programit investigativ italian “Le Iene”, i cili ka zbërthyer një rrjet të strukturuar mashtrimesh financiare që vepronte përmes call center-ave. Pas dokumentimit të skemës, autoritetet italiane referuan çështjen për ndjekje penale, duke çuar në koordinimin e aksionit në Shqipëri.

Operacioni u drejtua nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara, me pjesëmarrjen e drejtorit të BKH-së, Joni Keta.

Gjatë kontrollit në ambientet e kompanive të dyshuara janë arrestuar 10 persona, ndërsa dy pronarë të call center-ave janë shpallur në kërkim.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se janë sekuestruar miliona euro para cash, si dhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i mashtrimit ndërkombëtar.

Hetuesit dyshojnë se rrjeti ndryshonte vazhdimisht zyrat për të shmangur kontrollet e autoriteteve dhe për të fshehur gjurmët financiare, duke e bërë hetimin veçanërisht kompleks.

SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar në orët në vijim për të dhënë më shumë detaje mbi akuzat dhe shtrirjen e aktivitetit kriminal.

img 0781

About The Author