Një 70-vjeçar ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur pas rrëzimit të një helikopteri në Doncaster, në veri të Anglisë.
Sipas autoriteteve britanike, shërbimet e emergjencës u thirrën në një fushë pranë Ings Lane, në zonën Bentley, menjëherë pas incidentit. Helikopteri raportohet se ishte ngritur nga Aeroporti Retford Gamston, në Nottinghamshire.
Policia e Yorkshire ka bërë të ditur se piloti, një 41-vjeçar, si dhe dy pasagjerë — një grua 58-vjeçare dhe një djalë 10-vjeçar — kanë pësuar lëndime të lehta. Viktima e vetme e ngjarjes është një 70-vjeçar, i cili ndërroi jetë në vend.
Në një deklaratë për mediat, Aeroporti Retford Gamston konfirmoi se helikopteri ishte operuar nga një qiramarrës lokal, por nuk dha detaje të tjera mbi shkaqet e mundshme të aksidentit.
“Mund të konfirmojmë se një helikopter i operuar nga një qiramarrës në vend është përfshirë në një incident. Nuk kemi informacione të mëtejshme aktualisht,” thuhet në njoftimin e aeroportit.
Sipas raportimeve të BBC, në vendngjarje janë vendosur njësi policore dhe ka mbërritur një ambulancë private për të ndihmuar të plagosurit. Hetimet mbi shkaqet e rrëzimit janë ende në vazhdim.















