Ngjarje tragjike në Hamburg:25-vjeçari shtyn vajzën 18-vjeçare përpara trenit, humbin jetën të dy
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Hamburgut të enjten në mbrëmje, ku dy persona humbën jetën në shinat e metrosë në stacionin Wandsbek-Markt. Autoritetet gjermane po e hetojnë rastin si një vrasje të mundshme, raporton Deutsche Welle.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, dy viktimat ndodheshin në platformë në mënyrë të pavarur. Dyshohet se një burrë ka kapur një vajzë të re dhe e ka shtyrë përpara trenit që po afrohej. Burri është identifikuar nga policia si një 25-vjeçar nga Sudani i Jugut, ndërsa viktima femër ishte 18 vjeçe. Kombësia e saj nuk është bërë ende publike. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktimat nuk njiheshin mes tyre.
Si pasojë e incidentit, shërbimi i linjës së metrosë U1 u ndërpre përkohësisht midis stacioneve Wartenau dhe Wandsbek-Gartenstadt, duke shkaktuar vonesa dhe ndryshime në qarkullimin e trenave.
Autoritetet kanë bërë të ditur se dëshmitarët e ngjarjes po marrin mbështetje psikologjike, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.
