Ngatërresë e pazakontë në Francë: Brigitte Macron e regjistruar si burrë në portalin e taksave
Një ngatërresë e çuditshme ka ndodhur në Francë, ku bashkëshortja e presidentit Emmanuel Macron, Brigitte Macron, është regjistruar gabimisht me emrin mashkullor “Jean-Michel” në portalin zyrtar të taksave.
Rasti u zbulua në një dokumentar të transmetuar nga BFMTV, ku drejtori i administratës së Zonjës së Parë tregoi se gjatë një kontrolli rutinë në shtator të vitit të kaluar, në vend të emrit të saj të vërtetë ishte shfaqur një emër mashkullor.
Hetimet kanë treguar se nuk bëhej fjalë për një gabim teknik, por për një ndërhyrje të jashtme në sistemin shtetëror. Menjëherë pas zbulimit, Pallati Élysée e mori çështjen seriozisht dhe Brigitte Macron bëri një kallëzim penal.
Sipas mediave franceze, hetuesit kanë identifikuar dy persona të dyshuar për manipulimin e të dhënave personale të Zonjës së Parë.
Ky incident lidhet me teoritë konspirative që kanë qarkulluar prej vitesh, sipas të cilave Brigitte Macron është lindur mashkull, pretendim që ajo e ka hedhur poshtë dhe për të cilin ka paditur disa persona për shpifje.
Në shtator të këtij viti, dy persona u dënuan me gjobë prej 13,500 eurosh për përhapjen e këtyre pretendimeve. Brigitte Macron ka deklaruar se është e gatshme të bëjë një test gjenetik për të mbyllur përfundimisht çështjen.
