Nga 1 janari 2026 rriten çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, deri në 200 mijë lekë për m²
Tiranë, 19 tetor 2025 – Duke nisur nga 1 janari 2026, në fuqi do të hyjnë çmimet e reja të referencës për apartamentet dhe njësitë tregtare në të gjithë vendin. Sipas ndryshimeve të miratuara, çmimet do të arrijnë deri në 200,000 lekë për metër katror, në varësi të zonës kadastrale dhe llojit të pronës.
Rritja e çmimeve pritet të shoqërohet me shtim të taksës së pronës, veçanërisht në zonat më të kërkuara, si ato bregdetare apo në qendrat urbane kryesore.
Pedagogia dhe ekspertja e ekonomisë, Merita Toska, shprehet se ndryshimet pasqyrojnë realitetin e tregut dhe diferencat mes zonave.
“Në Tiranë, Durrës e Vlorë ka një kërkesë të pandalshme për prona, ndërsa në bashkitë periferike ajo mbetet shumë e ulët,” u shpreh Toska.
Sipas saj, rritja e numrit të zonave kadastrale nga 65 në 119 do të ndihmojë në përcaktimin më të saktë të vlerës së pronave, duke e afruar atë me çmimet reale të tregut.
“Kjo është një rritje e saktësisë në vlerësimin e çmimeve të referencës për t’iu përafruar sa më shumë vlerës së tregut,” theksoi ajo.
Megjithatë, Toska vlerëson se taksimi mbi çmimet e tregut mbetet i pamundur për momentin, pasi do të kërkonte përditësime të vazhdueshme nga kadastra fiskale – një proces i ndërlikuar dhe i kushtueshëm.
Ajo paralajmëron se çmimet e banesave po rriten me ritme të shpejta, shpesh të shkëputura nga logjika e kërkesës dhe ofertës.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat nga taksa e pronës janë ende të ulëta, duke përbërë vetëm 0.5% të PBB-së në 61 bashkitë e vendit – shumë larg objektivave të strategjisë së decentralizimit.
“Të ardhurat nga taksa e pronës janë burim i rëndësishëm për qeverisjen vendore, por sfida kryesore mbetet mbledhja efektive e tyre,” përfundoi Toska.
