Nëna e Shpat Kasapit prek zemrat në Përkujtimoren e tij
Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, Gjylymsere Kasapi, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, rrëfeu dhimbjen e saj për humbjen e djalit, duke prekur thellë të gjithë të pranishmit.
Ajo nisi fjalimin duke falënderuar kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi. “Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo me emocion.
Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, Gjylymsere Kasapi rrëfeu se përballë kësaj humbjeje fjalët nuk mjaftonin. “Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Ajo shprehu gjithashtu krenari për dashurinë e publikut ndaj Shpatit: “Jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”
Momente të tjera prekëse ishin kur ajo foli për vitin e fundit të jetës së Shpatit, që sipas saj nuk ka qenë i qetë. “Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”
Në fund, Gjylymsere bëri një lutje për familjen e saj: “E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit.”
Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore dhe një familje të pikëlluar.
