Meloni paralajmëron:2025 vit i vështirë, 2026 do të jetë akoma më i vështirë
ROMË – Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar se viti 2026 pritet të jetë edhe më sfidues se 2025, për shkak të vështirësive ekonomike dhe pasigurive globale që po përballon vendi.
Gjatë një takimi me stafin e Kryeministrisë në Pallatin Chigi, Meloni i ftoi punonjësit të shfrytëzojnë pushimet e Krishtlindjeve për t’u çlodhur, duke theksuar se i pret një vit shumë i ngarkuar pune.
“Viti që lamë pas ka qenë i vështirë për të gjithë ne, por mos u shqetësoni, sepse viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë,” u shpreh ajo me tone ironike. “Ju këshilloj të pushoni mirë gjatë këtyre festave, sepse duhet të vazhdojmë t’i japim përgjigje këtij kombi të jashtëzakonshëm.”
Kryeministrja falënderoi stafin për përkushtimin e treguar gjatë vitit, duke e cilësuar ekipin e saj si “një familje që lufton gjatë gjithë vitit”.
Paralajmërimi i Melonit vjen në një moment delikat për ekonominë italiane. Borxhi publik pritet të arrijë në 137.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026, ndërsa vendi përballet edhe me sfida të tjera ekonomike dhe debate të forta mbi politikën e jashtme, përfshirë mbështetjen për Ukrainën.
Sipas projeksioneve zyrtare, ekonomia italiane pritet të rritet me ritme modeste në vitin 2026, nga 0.4% deri në 0.8%. Rritja pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe investimet e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR).

Ndërkohë, qeveria Meloni synon të ulë deficitin buxhetor në 2.8% të PBB-së përmes buxhetit të vitit 2026, në përpjekje për të stabilizuar financat publike dhe për të përballuar sfidat ekonomike që priten në vitet në vijim.