Lini shpallet “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe bëhet pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s
Fshati piktoresk i Linit, një nga perlave të liqenit të Ohrit, tashmë gëzon statusin e “Ansamblit Arkitektonik Urban” dhe është përfshirë në listën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si pjesë e “Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit”.
Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon rëndësinë e jashtëzakonshme të peizazhit unik të Linit, ku trashëgimia kulturore dhe ajo natyrore ndërthuren në mënyrë harmonike, duke krijuar një mozaik të rrallë të historisë, arkitekturës dhe bukurisë së natyrës shqiptare.
Fshati ruan ende strukturën tradicionale urbanistike, me rrugicat e ngushta prej kalldrëmi, lagjet karakteristike dhe arkitekturën vernakulare, e cila përdor materiale vendase dhe teknika ndërtimi të trashëguara brez pas brezi. Shtëpitë me çati të pjerrëta, muret prej guri dhe oborret e mbjella me lule e pemë frutore i japin Linit një identitet të veçantë, që e dallon nga fshatrat e tjerë të rajonit.
Përfshirja në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e kthen Linin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës turistik, duke rritur interesin për vizita kulturore dhe ekologjike, por edhe duke forcuar përgjegjësinë për ruajtjen e vlerave të tij.
Autoritetet vendore dhe institucionet e kulturës theksojnë se ky status do të ndihmojë në ruajtjen e autenticitetit të fshatit, në menaxhimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në mbrojtjen e mjedisit liqenor, që është pjesë e pandarë e pasurisë së rajonit të Ohrit.
Ky njohje e re e vendos Linin mes vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke siguruar që bukuria, traditat dhe historia e tij të mbeten të paprekura për brezat e ardhshëm.
