Lamtumira e fundit për Shpat Kasapin: Homazhet dhe varrimi nesër

img 9262

Këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi, do të përcillet për në banesën e fundit ditën e diel, më 30 nëntor 2025, në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.

Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor, pas një sulmi në zemër, në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe fansat e tij.

Sipas njoftimit të familjes, homazhet për artistin do të mbahen të dielën, nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku të afërmit, miqtë dhe të gjithë admiruesit e tij do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit.

Në deklaratën e tyre prekëse, familjarët shkruajnë:

“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI (1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025). Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy… Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.”

Këngëtari, i njohur për shumë hite dhe një karrierë të gjatë në skenën muzikore shqiptare, do të mbahet mend për zërin karakteristik, pozitivitetin dhe lidhjen e fortë që kishte me publikun.

Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë ta nderojnë Shpatin në ceremoninë e homazheve dhe të varrimit.

img 9262

About The Author