Kosova dhe Shqipëria shkruajnë historinë: Të dyja kombëtaret në play-off të Botërorit
Dy kombëtaret shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, kanë siguruar vendin në play-offet e Botërorit, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar.
Kosova arriti një fitore të madhe 2-0 ndaj Sllovenisë në “Stožice Stadium”, falë një supergoli të Fisnik Asllanit dhe një autogoli të Karničnik. Ky triumf e çon Kosovën një hap larg pjesëmarrjes së parë në një Kampionat Botëror. Dardanët tashmë presin Zvicrën, ku vetëm një skenar i jashtëzakonshëm mund t’u japë vendin e parë në grup.
Ndërkohë, edhe Shqipëria ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në play-off, falë paraqitjeve të qëndrueshme gjatë kualifikueseve. Kuqezinjtë mbeten në garë edhe për kualifikimin direkt, në varësi të rezultateve të fundit.
Ky është një moment i artë për futbollin shqiptar, pasi për herë të parë në histori, të dyja përfaqësueset shqiptare ndodhen njëkohësisht në fazën vendimtare drejt Botërorit.
