Kompanitë e transportit do paguajnë mbi 25 mln euro në vit për transmetimin e të dhënave të pasagjerëve
Qeveria shqiptare ka vendosur një tarifë të re për kompanitë e transportit ajror, detar dhe tokësor ndërkombëtar, e cila parashikon pagesën e 200 lekëve për çdo pasagjer për transmetimin e të dhënave të biletës në sistemin e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU), i menaxhuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, rreth 12.3 milion pasagjerë vendas dhe të huaj kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria përmes transportit ajror dhe detar. Nga kjo llogaritet që vetëm kompanitë ajrore dhe detare do të paguajnë rreth 25 milion euro në vit, ose gati 2.1 milion euro në muaj, për këtë shërbim.
Ligji që përcakton këtë detyrim, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, është miratuar nga Kuvendi më 26 Qershor 2025 dhe përafron direktivën 2004/82 të Bashkimit Evropian, e cila kërkon transmetimin e të dhënave të pasagjerëve për qëllime sigurie.
Sipas ligjit, çdo transportues i licensuar – përfshirë operatorët ajror, detar dhe tokësor – duhet të transmetojë të dhënat e udhëtimit të pasagjerëve të paktën 3 herë në ditë në sistemin SIU.
Ky vendim synon të rrisë sigurinë në transport dhe të përmirësojë menaxhimin e informacionit mbi udhëtarët, por nga ana tjetër ngre një barrë financiare të konsiderueshme për kompanitë e transportit.
