Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e PD-së për shkarkimin e Presidentit Begaj, ka shkelur 7 ligje

img 7928

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike po shqyrton sot kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, me pretendimin se ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Kërkesa e opozitës u depozitua në Kuvend më 15 tetor dhe përmban shtatë akuza konkrete ndaj kreut të shtetit. Sipas PD-së, Presidenti Begaj ka vepruar në kundërshtim me ligjin në disa raste, përfshirë dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, ndërhyrjen në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe dekretimin e ligjit për Komisionet Hetimore pa respektuar procedurat e përcaktuara.

Një nga pikat më të debatueshme është edhe dekretimi i të ashtuquajturës “ministre virtuale”, Diella, ndërsa opozita e akuzon presidentin se nuk ka ndërhyrë për të ndaluar përfshirjen e trupës diplomatike dhe stafit të tij në fushatën elektorale të vitit 2025.

Demokratët kanë ngritur gjithashtu akuza për përfitime të paligjshme dhe konflikt interesi. Sipas tyre, Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, ndërsa i biri dyshohet se është punësuar fiktivisht në një kompani sigurimesh që ka fituar tendera nga Presidenca.

Në kërkesën zyrtare të depozituar në Kuvend theksohet se këto veprime përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe cënojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Kërkesa për shkarkim duhet të nënshkruhet nga të paktën 35 deputetë dhe të miratohet me 94 vota në Kuvend.

Vendimi përfundimtar për fatin e Presidentit Bajram Begaj i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vlerësojë nëse akuzat e opozitës qëndrojnë dhe nëse ka bazë për shkarkimin e kreut të shtetit.

img 7928

About The Author