Incident në Vlorë gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike, dhunohet policia
Vlorë – Një incident i rëndë është regjistruar në hyrje të qytetit të Vlorës gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike.
Sipas burimeve zyrtare, drejtori i IMT-së, një inspektor, si edhe efektivë të rendit janë përfshirë në një konflikt fizik, pasi katër persona kanë kundërshtuar me dhunë ndërhyrjen e autoriteteve. Forcat e IMT-së dhe Policisë Bashkiake janë sulmuar me qëllim pengimin e lirimit të hapësirës publike.
Ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të aksionit, kur në zonë është konstatuar një sherr. Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe efektivët e qarkullimit rrugor për të qetësuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej policëve është goditur me grushte nga disa persona.
Për shkak të rrezikut dhe tensionit të krijuar, efektivi i policisë është detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër, me qëllim shpërndarjen e personave të përfshirë në konflikt.
Pas incidentit, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në sherr për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të dhunshëm.
