Durrës – 32 familje nxirren nga banesat pas 35 vitesh, tension e kërcënime vetëflijimi
Një situatë e rëndë dhe dramatike është regjistruar në zonën e plazhit në Durrës, ku 32 familje janë detyruar të lënë banesat e tyre pas më shumë se tri dekadash jetesë. Aksioni i përmbarimit ka nisur të mërkurën në mëngjes, duke zbatuar një vendim gjykate që i njeh pronësinë e godinave nr. 36 dhe 38 shtetasit Mikel Noçka, i cili i ka privatizuar që në vitin 2012.
Banorët, të cilët kanë jetuar aty për afro 35 vite, deklarojnë se janë trajtuar padrejtësisht dhe se kanë paguar çdo detyrim ligjor ndër vite. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të gjetur një zgjidhje, pasi shumë prej tyre ndodhen sot pa strehë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momente të tensionuara mes përmbaruesve gjyqësorë dhe banorëve. Disa prej tyre kanë refuzuar të dalin, duke shprehur dëshpërimin dhe frikën për të ardhmen.
“Do të hidhem nga kati i dytë nëse tentojnë të më nxjerrin,” tha mes lotësh një prej banorëve, i cili u shpreh se nuk ka asnjë vend ku të shkojë. Ndërkohë, të tjerë paralajmëruan vetëflijim nëse operacioni nuk pezullohet.
Aksioni pritet të vijojë edhe të enjten, ndërsa banorët presin një ndërhyrje urgjente nga bashkia, qeveria apo institucionet e drejtësisë për të shmangur një dramë të mëtejshme sociale.
