Djegie dhe shtëllunga tymi në Elbasan, 16 persona të arrestuar në dy fabrika përpunimi metalesh

img 9890

Një operacion i policisë ka zbuluar shkelje të rënda mjedisore në ambientet e dy shoqërive CCALV SHPK dhe GSA Ferrokrom SHPK në Elbasan, të licencuara për asgjësimin e metaleve joferrore, baterive dhe plastikës. Autoritetet konstatuan se procesi i përpunimit nuk kryhej sipas standardeve ligjore dhe teknologjike të parashikuara.

Policia u përball me shtëllunga të mëdha tymi dhe vatra aktive zjarri, ndonëse asgjësimi i materialeve duhej të realizohej përmes një zinxhiri të kontrolluar teknologjik, që përfshin kullën e ftohjes, ndalimin e shkëndijave, filtrimin dhe oxhakun. Në vend të kësaj, materialet po digjeshin në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave.

Në kuadër të hetimeve, u arrestuan në flagrancë 16 persona, mes tyre nëntë shtetas të huaj nga Koreja dhe India, të punësuar si operatorë furrash, shoferë dhe administratorë. Po ashtu, shtatë shtetas shqiptarë rezultojnë të përfshirë si përgjegjës turni, inxhinierë dhe drejtorë prodhimi.

Akuzat ndaj të arrestuarve përfshijnë ndotje të mjedisit, punësim të paligjshëm, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Mes të dyshuarve për shpërdorim detyre është edhe një punonjës i Bashkisë Elbasan, pjesë e sektorit të mjedisit, i cili kishte për detyrë të monitoronte nivelin e ndotjes dhe ndikimin e saj në shëndetin e qytetarëve.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë shkallën e dëmit mjedisor dhe përgjegjësitë institucionale.

img 9890

About The Author