Belinda Balluku paraqitet në SPAK për hetimet mbi tunelin e Llogarasë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pak minuta para mbërritjes së saj, në SPAK ka qenë edhe motra e saj, avokatja Pamela Qirko, e cila pritet ta asistojë gjatë procesit.
Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se Balluku është thirrur në cilësinë e personit nën hetim lidhur me procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të ri të Llogarasë, një projekt me vlerë të konsiderueshme financiare dhe me rëndësi strategjike për infrastrukturën kombëtare.
Ende nuk janë bërë të ditura detaje mbi pyetjet apo provat që do t’i paraqiten zëvendëskryeministres gjatë marrjes në pyetje. Pritet që SPAK të publikojë më vonë informacion zyrtar mbi ecurinë e hetimeve.
