Apeli lë në “arrest shtëpie” të dyshuarit për vrasjen e Martin Çeços, babai në revoltë: Do ti djeg me benzinë!
Vendimi i Gjykatës së Apelit për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, duke i lënë ata në “arrest shtëpie”, ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e viktimës.
Babai i të riut ka deklaruar për mediat se ky vendim përbën në praktikë “lirimin” e autorëve dhe se drejtësia ka dështuar, pas më shumë se tre vitesh pritje nga qershori i vitit 2022, kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Në një deklaratë të mbushur me emocione dhe revoltë, ai ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se djali i tij ishte i pafajshëm dhe se personat e dyshuar janë individë me precedentë kriminalë, të cilët sipas tij janë mbrojtur nga sistemi.
Babai i viktimës tha gjithashtu se Martin Çeço kishte marrë kërcënime para se të vritej dhe se nuk kishte asnjë lidhje me rrethanat që janë përmendur gjatë hetimeve. Sipas tij, megjithëse çështja është cilësuar si vepër penale që dënohet me burgim të përjetshëm, sot të dyshuarit nuk ndodhen në qeli, ndërsa familja vazhdon të kërkojë drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
Vendimi i Apelit ka rikthyer në vëmendje debatin mbi zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe masat e sigurisë për vepra të rënda penale, ndërsa rasti i Martin Çeços mbetet ende pa një përfundim gjyqësor përfundimtar.
