Alis fiton Festivalin e Këngës 64 dhe përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2026
Alis u shpall fitues i edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës me këngën “Nan”, duke siguruar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026.
Fitorja u vendos përmes kombinimit të votave të jurisë profesioniste dhe votimit me SMS nga Shqipëria dhe Kosova. Kënga e Alis mori gjithashtu mbështetje të gjerë edhe nga publiku, duke u renditur e para në sondazhin e Anabel, ku u votua nga mbi 700 ndjekës.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me këngën “Ta kam fal”, ndërsa podiumi u plotësua nga Sheila me “Zemra e tokës”.
Vendi i katërt shkoi për duetin Fifi & Tiri Gjoci me këngën “Rri”, ndërsa Vedat Ademi me “Kur fjala mbaron” mbylli top 5-shen e këtij edicioni.
Eurovision Song Contest 2026 do të zhvillohet në Vjenë, Austri, pas fitores së JJ me këngën “Wasted Love” në edicionin e kaluar. Datat zyrtare të konkursit janë 12, 14 dhe 17 maj 2026.
Me “Nan”, Alis pritet të sjellë një përfaqësim të veçantë të Shqipërisë në skenën evropiane të muzikës.
