Aksidenti tragjik në Kosovë që u mori jetën dy shqiptareve, gazetari: Në autostradë është shemb dheu, përgjegjësi e dy ministrive
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku kanë humbur jetën dy shtetase shqiptare, Eorda Sinollari dhe Elizabeta Katija. Kjo e fundit ishte e njohur në media si eksperte e ekonomisë dhe nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa reagimet nuk kanë munguar. Gazetari nga Kosova, Berat Buzhala, ka hedhur akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, duke e cilësuar aksidentin si pasojë të drejtpërdrejtë të neglizhencës institucionale.
Sipas Buzhalës, përgjegjësia direkte bie mbi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shkak të mungesës së sinjalistikës së duhur në autostradë, aty ku kishte ndodhur shembje dheu.
“Përgjegjësi direkte për vdekjen e këtyne dy zonjave të Shqipërisë ka Ministria e Transportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Në autostradë është shembë dheu, askush një paralajmërim nuk e ka vendosur deri në 20 metra para shembjes. Në një kohë me mjegull, në autostradë, ishte dashur që shenjat me u vendosë 500 metra më herët, e jo si me qenë rrugë e katunit. Çfarë tmerri. Çfarë papërgjegjësie”, ka shkruar Buzhala.
Aksidenti ka rihapur debatin mbi sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë e institucioneve për mirëmbajtjen dhe sinjalizimin e akseve kryesore rrugore, veçanërisht në kushte të vështira atmosferike.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar lidhur me akuzat, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e plota të këtij aksidenti tragjik.
