Vlorë/ Humb jetën në rrethana misterioze një fëmijë 4-vjeçar, nis hetimi
Një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta në qytetin e Vlorës. I mituri është dërguar pa shenja jete në spital, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Sipas këqyrjes paraprake të trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera fizike, çka ka shtyrë organet hetimore të nisin verifikimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria ka marrë në dorë çështjen dhe ka nisur hetimet, ndërsa po kryhen ekzaminime mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të ndërrimit të jetës së të miturit.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.
