Gjendet trupi i 30-vjeçarit Jurgen Karaj, 28 ditë pas rënies në përroin e Fullqetit
Është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30-vjeçarit që humbi jetën pasi ra me automjet në përroin e fshatit Fullqet, në bashkinë Klos.
Trupi është lokalizuar në zonën e Urakës, në liqenin e Ulzës, rreth 30 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti, duke konfirmuar dyshimet se i riu është marrë nga rrjedha e ujit.
Prej 28 ditësh, për gjetjen e tij janë zhvilluar kërkime intensive nga forcat e Policisë së Shtetit, polumbarët e RENEA-s, Forcat e Armatosura, si edhe një njësi speciale e FSK-së së Kosovës.
Sipas të dhënave paraprake, për arsye ende të paqarta, automjeti ka humbur kontrollin dhe ka rënë në përroin pranë fshatit Dars, duke u zhytur në rrjedhën e ujit. Policia kishte dyshuar që në fillim se trupi i Karajt ishte marrë nga rrjedha e përroit.
Shoferi i mjetit, shtetasi A. L., është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, nën akuzën e mosdhënies ndihmë ndaj një personi të përfshirë në aksident.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë ligjore të secilit person të përfshirë.
