Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kryeministri Edi Rama po e përdor marrëveshjen me Ivanka Trump dhe Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të Sazanit si mjet për të fituar ndikim politik, duke theksuar se kjo përpjekje, sipas tij, ka dështuar.
Në një prononcim për mediat, Berisha sqaroi se nuk është kundër investimit në Sazan dhe kujtoi se ishulli është ofruar edhe më herët për projekte zhvillimore, si gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, ashtu edhe gjatë mandatit të tij si kryeministër.
“Ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. Jam i sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte president të SHBA ‘gazin e dheut’ në një samit që u bë kryelajm i atij samiti”, u shpreh Berisha.
Sa i përket investimeve në Zvërnec, kreu i PD-së tha se bëhet fjalë për një çështje private dhe se, sipas tij, nuk ka dijeni që aty të jetë dhënë tokë publike, duke shtuar se kjo do të verifikohet.
Duke folur për Sazanin, Berisha theksoi se ishulli është ofruar për investime për shkak të vështirësive që paraqet zhvillimi i tij. Ai kujtoi se projekti i ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi kishte dështuar për shkak të krizës financiare globale.
“Tani fondet janë shumë të mëdha, sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë rreth dy miliardë euro nga një fond sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.
Berisha akuzoi Ramën se e lidhi marrëveshjen me Sazanin pas zgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-së dhe se tentoi ta përdorte atë për përfitime personale dhe politike. Sipas tij, Rama nuk e firmosi marrëveshjen para zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe kërkoi deri në fund të siguronte të paktën një fotografi me Ivanka Trump dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama.
I pyetur nëse Kryeministri përfiton kapital politik nga kjo marrëveshje, Berisha u shpreh se Edi Rama nuk mund të fitojë më kapital politik, duke e cilësuar figurën e tij si tërësisht të konsumuar politikisht.
